Prodhimi energjis me panele fotovoltaike – Papaj: Pas udhëzimit ka rritje të kërkesës, redukton ndjeshëm faturën.
© Vega Solar Shpk | 5 Shkurt 2020

Pavarësisht se Enti Rregullator i Energjisë nuk ka miratuar ende çmimin me të cilin do të paguhet teprica nga prodhimi energjis me panele fotovoltaike nga bizneset apo familjarët, tashmë nuk ekziston asnjë pengesë ligjore për instalimin e tyre. Në një prononcim për TV Scan inxhinieri, Bruno Papaj thotë se udhëzimi i nxjerrë para pak muajsh nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë zgjidhi problematikën e krijuar në këtë drejtim, duke u pasuar edhe me një rritje të kërkesës për investime në fushën e fotovoltaikëve.
–Bruno Papaj: Në fund të çdo muaji do të bëhet bilanci i sa energjie është futur në rrjet dhe sa energji është marrë nga rrjeti. Në rastet kur energjia e futur në rrjet është më e lartë se energjia e marrë nga rrjeti, atëherë do të vendoset një çmim për këtë energji të tepërt që futet në rrjet. Kjo nuk do të thotë që klienti do të marri një pagesë nga OSHEE në formë monetare. Por do të thotë që kjo pagesë do të llogaritet për muajt e ardhshëm kur ai të ketë marrë me tepër energji nga rrjeti, kjo do ti zbritet nga energjia që ka kursyer gjatë ditëve të verës.
–Bruno Papaj: – Investimi në panele fotovoltaike varet nga konsumi që ka një kompani. Kjo mund të varioj nga një investim minimal 5000-6000 euro dhe deri në biznest që kanë konsum shumë të lartë që investimi mund të jetë edhe 200-300 mije euro për një biznes. Por pavarsisht madhësisë së impiantit fotovoltaik apo çmimit, kthimi i investimit për biznes është llogaritur 4-5 vite. Ndërsa për klient familjar kthimi i investimit është 6-8 vite.
Udhëzimi i muajit qershor përcakton procedurën e plotë sesi do të bëhet lidhja e impianteve të prodhimit të energjisë nga dielli për nevoja autokonsumatore me rrjetin e OSHEE-së. Sipas procedurës së lehtësuar, një shoqëri e vogël ose e mesme, apo një klient familjar mund të instalojë një kapacitet total më të vogël 500 kwp për vetëprodhimin e energjisë elektrike nga dielli, ndërkohë që impianti fotovoltaik duhet të vendoset në objektin e konsumatorit.
Për këto impiante do të lejohet lidhja me rrjetin e shpërndarjes, ndërkohë që çdo muaj do të bëhet bilanci midis energjisë së porsaardhur dhe asaj të shpenzuar, ndërsa teprica e energjisë, më e madhe se konsumi mujor do t’i shitet furnizuesit të shërbimit universal, që është Operatori I Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me një çmim që duhet të vendoset nga Enti Rregullator i Energjisë.