Vetëprodhimi i energjisë nga dielli

Vetëprodhimi i energjisë nga dielli – Papaj: Pas udhëzimit ka rritje të kërkesës, redukton ndjeshëm faturën.

Pavarësisht se Enti Rregullator i Energjisë nuk ka miratuar ende çmimin me të cilin do të paguhet teprica e energjisë nga bizneset apo familjarët që vetë prodhojnë energjinë nga panelet diellore, tashmë nuk ekziston asnjë pengesë ligjore për instalimin e tyre, duke mundësuar reduktimin e faturës së energjisë elektrike. Në një prononcim për TV Scan inxhinieri, Bruno Papaj thotë se udhëzimi i nxjerrë para pak muajsh nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë zgjidhi problematikën e krijuar në këtë drejtim, duke u pasuar edhe  me një rritje të kërkesës për investime në këtë fushë.

-Bruno Papaj: Në fund të çdo muaji do të bëhet bilanci i sa energjie është futur në rrjet dhe sa energji është marrë nga rrjeti dhe në rastet kur energjia e futur në rrjet është më e lartë se energjia e marrë nga rrjeti, atëherë do të vendoset një çmim për këtë energji të tepërt që futet në rrjet. Kjo nuk do të thotë që klienti do të marri një pagesë nga OSHEE në formë monetare, por do të thotë që kjo pagesë do të llogaritet për muajt e ardhshëm kur ai të ketë marrë me tepër energji nga rrjeti, kjo do ti zbritet nga energjia që ka kursyer gjatë ditëve të verës.

Vlera e investimit në panele fotovoltaike varion nga fuqia e instaluar, ndërkohë që kthimi i këtij investimi është midis 4-8 vjet.

-Bruni Papaj: – Investimi në panele diellore varet nga konsumi që ka një kompani kjo mund të varioj shumë, mund të varioj nga një investim minimal  5000-6000 euro dhe deri në biznest që kanë konsum shumë të lartë që investimi mund të jetë edhe 200-300 mije euro për një biznes. Por pavarsisht madhësisë së impiantit apo çmimit kthimi i nivestimit për biznes është llogaritur 4-5 vite ndërsa për klient familjar kthimi i investimit është 6-8 vite.

Udhëzimi i muajit qershor përcakton procedurën e plotë sesi do të bëhet lidhja e impianteve të prodhimit të energjisë nga dielli për nevoja autokonsumatore me rrjetin e OSHEE-së. Sipas procedurës së lehtësuar, një shoqëri e vogël ose e mesme, apo një klient familjar mund të instalojë një kapacitet total më të vogël 500 kwp për vetëprodhimin e energjisë elektrike nga dielli, ndërkohë që impianti duhet të vendoset në objektin e konsumatorit.

Për këto impiante do të lejohet lidhja me rrjetin e shpërndarjes, ndërkohë që çdo muaj do të bëhet bilanci midis energjisë së porsaardhur dhe asaj të shpenzuar, ndërsa teprica e energjisë, më e madhe se konsumi mujor do t’i shitet furnizuesit të shërbimit universal, që është Operatori I Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me një çmim që duhet të vendoset nga Enti Rregullator i Energjisë.

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert